Culture

ISUF LUZAJ NUK ËSHTË THJESHT NJË EMËR… ËSHTË PJESË E NJË FENOMENI POLITIK DHE SHOQËROR SHQIPTAR…

145273212762828

-Nga: BLENDI FEVZIU

(Interviste për librin dhe dokumentarin)

Isuf luzaj nuk është thjesht një emër, është në një farë mënyre, pjesë e një fenomeni politik dhe shoqëror shqiptar që kulmin e arriti gjatë viteve të Luftës së Dytë Botërore, sidomos në angazhimin e tij me Ballin Kombëtar duke pasur një periudhë jete interesante përpara dhe po kaq interesante pas, e cila ka qenë dhe pjesa e pa zbuluar e tij. Praktikisht është një prej atyre intelektualëve të diplomuar jashtë, të cilët tentuan të ngenë Shqipërinë e viteve ’30, pra fundviteve ’30, në një shoqëri të emancipuar, një shoqëri të shkolluar dhe ishin ndër pionierët e parë që mendonin dhe besonin, se ecja përpara e një vendi bëhej përmes krijimit të një elite universitare.

Vetë ishte diplomuar në Francë, ishte prej atyre njerëzve që kishte një vizion, pra ishte një filozof, sigurisht në fillimet e tij në vitet ’30 që po tentonte të përshtaste, ose t’i aplikonte idetë e tij në shoqërinë shqiptare, pikërisht për këtë arsye u angazhua me forcat e Ballit Kombëtar, ku hyri nga angazhimi i tij shoqëror në një angazhim politik, nga ajo që ka lënë gjurmë në historinë e Shqipërisë.

Në fakt aktiviteti i tij politik nuk është shumë i dokumentuar, është vetëm një përshkrim i asaj që ai ka bërë, kemi më pak dokumente për të dhe për fatin tonë të keq, ajo që mbetet është angazhimi më i madh i tij, punimet e tij dhe të rëndësishme shkencore, janë ato që i takojnë jetës së tij në mërgim, mbas largimit nga Shqipëria forcërisht, nëse do e quajmë dhe jetën si emigrant politik në SHBA, ku ka qenë një zë i njohur dhe në nivel amerikan, pra dhe në shoqërinë amerikane, i njohur natyrisht aq sa mund të njihet brenda një shoqërie të atillë, si profesor universiteti.

Nga ana tjetër, Isuf Luzaj i takon asaj kategorie emigrantësh të Luftës së Dytë Botërore, jeta e pasme e të cilëve u shënjua nga data 28 nëntorit të vitit 1944, kur u detyruan të largohen nga Shqipëria, por dhe asaj kategorie emigrantësh që patën fatin, që në një farë mënyre ta shohin rrëzimin e komunizmit në Shqipëri dhe të përjetojnë vërtetësinë e besimit të tyre që komunizmi ishte diçka që do binte dhe një gjë e keqe në raport me vendin. Ai pati fatin, në një moshë të thyer ta ndante këtë me besim, thuajse 3 – 4 milion shqiptarë, të cilët në një farë mënyre rrëzuan komunizmin në 1990.

Tani që vepra e tij është pothuaj e pa zbardhur, me përjashtim të amanetit të tij për t’u prehur në Shqipëri që është realizuar, vepra e tij mbetet e pazbardhur. Me sa di unë pjesa më e madhe ndodhet në shtëpinë e tij në SHBA dhe u takon medieve, institucioneve, universiteteve dhe kërkuesve që të hedhin sa më shumë dritë mbi veprën e tij.

Pa dyshim, ishte i një plejade njerëzish studiuesish, intelektualësh, të cilëve u thye në gjysmë jeta dhe vepra për arsye të Luftës së Dytë Botërore, që u ndoqën pas një fataliteti që ishte fataliteti i luftës së ftohtë, por ai pati fatin që në fund të vërtetonte vërtetësinë dhe drejtësinë e kauzës së tij.
(Shkëputut nga libri “Isuf Luzaj, një Shtizë Diell mbi Atdhenë”, Tiranë 2015, faqe 315 – 316e autores Zyba Hysen Hysa)

PRESS INDEPENDENT

Laisser un commentaire