Culture

ZYBA HYSEN HYSA: BOTA NA SHPALL TË PAVARUR DUKE NA LËNË TË VARUR ME KOKËPOSHTË…

10534540_970038233062238_8315678614275165396_n

-Eh, o popull, sa fort më dhimbsesh/ Ti kurrë nuk shkove atje ku nisesh/ E pse lufton, prapë gremisesh/ Veç tradhtia, s’të lë të ngrihesh…!
Këtë shkrim e nisa duke marrë shkas nga dekorimi i Janullatusit në një nga Universitetet më prestigjioze në Amerikë dhe nga protestat si koshi pas të vjelave të shoqatave “kundër” tij. Në kërkimet dokumentare që kam bërë në funksion të disa librave studimorë, kam gjetur në errësirë mjaft gjëra të ndritura që mbaheshin mbyllur për të mos lejuar ndriçimin e mendjes sonë që të dallojmë të vërtetën, e cila shpesh ishte e hidhur, por ajo duhet thënë ashtu siç është, se sado e hidhur të jetë, ashtu siç janë dhe ilaçet, por na shërojnë nga sëmundjet, ajo do na bëjë mirë për t’u shëruar nga miopia mendore. Në shkrimet e mia, në librat e mi, jam munduar të flas “hidhur” për të shëruar veten dhe gjithë lexuesit, por jo përherë kam dhënë “ilaçin” e duhur, kjo jo me ndërgjegje, por nga pamundësia për ta gjetur atë, por të paktën, nuk kam dhënë “ilaç” tërbimi, por qetësimi dhe besimi…

Të qenit dhe të mos qenit janë dy gjëra që plotësojnë njëra – tjetrën, se duhet të mendosh sikur s’je, që të realizosh të qenarit tënd, ndaj çdo gjë në jetë duhet parë nga dy këndvështrime, ashtu si dhe në letërsi, horizontalisht dhe vertikalisht dhe në jetë si fotografi, pra si duket, si shfaqet dhe si pikturë, që tregon jo vetëm atë që duket, por dhe atë që fsheh.
Çdo fenomen shoqëror, çdo ngjarje, çdo ngritje dhe zbritje që ka ndodhur dhe vazhdon të ndodhë në Shqipëri, Kosovë, apo kudo nëpër botë, por që ka lidhje me shqiptarët, ashtu siç shkojnë tek zgjoi i bletës për të marrë mjaltin, lëshojmë tym që të trullosim bletët dhe e marrin qetë – qetë, pa u pickuar asnjëherë, po ashtu angazhohet një tymnajë mediatike, demonstrative, gazetareske, deri në biseda të tavolinave klubore e nëpër shoqata e klube shqiptare që financohen nga ata që vjelin mjaltin dhe… duhen lente të kthjelltë inteligjente për të depërtuar përmes kësaj tymnaje mbytëse për të dalluar atë që po na vjedh “mjaltin”.

Një gjë kam kuptuar (sigurisht nga numri i lentës sime)si ata që protestojnë pro, si ata që protestojnë kundër, si ata që shkruajnë pro, apo kundër, të gjithë përbëjnë “tymin” për të trullosur popullin dhe fatkeqësisht populli është trullosur aq shumë saqë me një “dozë” fare të vogël, bëhet i parrezikshëm për vjelësit e “mjaltit”, se inteligjenca e mirëfilltë shqiptare shpërfillet, inteligjenca që paguhet me çmimet e prostitutave “lidere” kanë në dorë tymësen dhe janë bërë mjeshtër, saqë nuk ka më njeri t’u presë dorën. Janë kjo kategori që lartësohen, nderohen, bëhen “Nder i Kombit”, sponsorizohen dhe bëhen deri në mite të pakritikueshëm, është kjo kategori, që nëse politika “shqiptare”është një herë mëkatare ndaj tragjizmit të popullit tonë, ata janë dyfish mëkatar.

Bëra një hyrje të përgjithshme për të dalë në temën që dua të trajtoj sot veçmas, se përherë më ka shqetësuar dhe përherë kam shkruar duke e prekur në shkrime, apo dhe librat e mi, por sot e shtyrë nga dekorimi i Anastasios Janullatos në Amerikë dhe nga shkrimet që lexova në faqe elektronike për këtë problem, dua të ndalem, por për fat të keq vetëm do shprehem, se jam krejtësisht e pafuqishme të ndryshoj diçka, në një kohë kur gjithçka ka marrë firmën dhe vulën për të shprehur fatalitetin tonë dhe gjunjëzimin tonë para ndërhyrjes së poshtër të huajve deri në të mësuarit se si të besojmë, si të lutemi dhe të na tregojnë se cilës fe i përkasim. Nëse sistemi i diktaturës komuniste fshiu me fshesë çdo institucion fetar për të spastruar bindjet fetare të shqiptarëve, kjo ishte “plugim i shpirtit tonë qilizmë, për të përmbysur çdo besim, që në një të ardhme, të huajt të mbillnin farën e tyre të besimit, se ne nuk kemi besimin tonë…”
Historia na ka mësuar, se kishat greke dhe manastiret serbe, as kanë luajtur ndonjëherë rolin e institucioneve fetare, por pushtim ideologjik të shqiptarëve, për t’i bërë ata që t’u vijë turp nga vetja e se për t’u bërë të qytetëruar, duhen të besojnë në fenë Ortodokse greke, një fe që ka vrarë, helmuar dhe zhdukur sa e sa klerikë të kësaj feje shqiptare, veç se ishin shqiptarë dhe ishin patriotë, gjë që e bëri dhe E. H. me klerikë të veçantë që ruanin fenë si ushqim shpirtëror të shqiptarëve me shqiptarizëm.
Unë, si gjithë brezi im, kemi qenë ateistë, por një ndodhi personale në vitin 1985, më rrotulloi trurin dhe më bëri të besoj se ekziston një lloj lidhje mes njeriut dhe universit dhe ne kemi aftësi të komunikojmë me universin përmes kuanteve të shpirtit tonë dhe këtë komunikim, historikisht e kemi bërë përmes institucioneve fetare, por edhe përmes njerëzve të besuar të fesë, ndaj ky besim që u rrënjos tek unë, më bëri të rend për të zbuluar të fshehtat e misterit të fesë, ndaj kam studiuar edhe Kuranin, edhe Biblën dhe më kanë mrekulluar, por kurrë nuk i kam gjetur në ato fe që përdoren tek ne për shkombëtarizim dhe pushtim.

Unë nuk dua të bëj historikun e masakrave të kishës greke në vitet 1900 e këtej, ku mallkonin shkronjat shqipe e shkishëronin mësuesit, apo priftërinjtë patriotë, por do kujtoj Shpalljen e Pavarësisë së Kosovës, apo më saktë, hartën e Kosovës, sipas Paketës së helmatisur të Ahtisarit dhe nuk më shkitet nga mendja harta e Kosovës në dy ngjyra, ku shumë pak më tepër ishte trualli shqiptar i Kosovës dhe pjesa tjetër troje të manastireve serbe nëpër Kosovë dhe diku kam shkruar: “Manastiret serbe janë si çibanë në trupin e Kosovës, që po nuk u mjekuan në kohë, do mahisen dhe do qelbet e gjithë Kosova”. Sot i hodha një sy, Paketës së Ahtisarit të 2 shkurtit 2007, se po ta studioj me vëmendja më duhet të çmendem dhe vura re se të gjitha institucionet fetare serbe, jo vetëm që nuk mbyllen, por ruhen me ligj dhe jo vetëm territoreve të pushtuara prej që janë me mijëra ha, por edhe nga një perimetër 50 – 100 m të mos afrohej njeri e të mos bëheshin ndërtime që t’u prishet qetësia. Vaj medet, o vaj medet! Këtu skenari shkruhet nga Serbia, redaktor bota (sipas pagës) dhe përmes këtyre institucioneve që vetëm fetare nuk mund të jenë (se të shkosh atje, duhet marrë leje nga qeveria serbe, pra të marrësh leje për të biseduar me Zotin) mbahet pushtimi i përhershëm i Kosovës, këtë bën dhe Janullatusi me Voroi Epirin dhe tani që e vuri mullirin në miell petash, sigurisht që meriton një çmim dhe çmimi merret në Amerikë, sigurisht nderohet me çmim maksimal. Do Zoti nuk ka Zot, se s’ka Zot t’i falë këto krijesa përbindësha!

Pas viteve ’90 Shqipëria ishte “fatlume” që Janullatus ka “Ringjallur Krishtin” në Shqipëri, por unë them se ai ka ngjallur dhe ka krijuar kushte të favorshme pushtimin territorial të Vorio Epirit, ky është Krishti i tij! Nuk ka si shpjegohet ndërtimi i kishave greke përgjatë Vorio Epirit, zhvarrosja e stërgjyshërve tanë dhe varrosja pranë këtyre kishave si të ishin ushtarë grekë që janë vrarë për të mbrojtur vendin dhe të gjitha këto nën një shqetësim të vazhdueshëm të qytetarëve dhe të heshtjes së qeverive shqiptare, sikur të mos ekzistonin fare. Kështu, më zënë ethet e tmerrit, se ne, shqiptarët, që kemi mbetur gjallë, jemi si pasojë e fatit, jo e mbrojtjes prej shtetit tonë, që për fat të keq nuk është yni e pse ne e votojmë, apo bëjmë sikur votojmë, se zgjedhjet bëhen nga të tjerë, votimet janë thjesht procedurë, një procedurë për të fshehur dhëmbët vampirë të një shteti që kurrë nuk u shqetësua për popullin e për vendin.

Ngrihen e bien qeveri gjoja opozitare, por janë qeveri që ndërrojnë kukullat, sipas radhës së shfrytëzimit të popullit tonë prej armiqve tanë shekullorë, të cilët lidhin marrëveshje të fshehta për të plotësuar epshet e tyre në kurriz të shqiptarëve dhe në aleancë më njëri – tjetrin që të mos merren vesh planet e tyre djallëzore dhe me lezet, herë me fe, herë me propagandë, herë me luftë sa vite shkojnë tkurren trojet tona dhe bota na shpall të pavarur, në një kohë që ne kemi mbetur varur kokëposhtë.
Vetëm në një pikë i kam parë njëlloj Berishën dhe Edi Ramën, po kështu dhe kryeministrin grek, kur përshëndetën nënshkrimin e Marrveshjes Kosovë – Serbi nga baronesh Ashton. Kjo është fotoja e politikës Shqipëri – Kosovë – Serbi – Greqi – Bruksel, pse jo, dhe Amerikë.
Duke menduar që feja duhet ta bëjë njeriun të dojë vetveten, jetën, familjen, atdheun e tij, më tërhoqi vëmendjen një shprehje e shkruar në derën e teqesë së Vlorës “Pa Atdhe, nuk ka fe!”, fillova të hulumtoj për bektashizmin dhe shkrova librin “Obelisku i Bektashizmit” në vitin 2006, ku dola në përfundim, se kjo fe është më pranë kulturës dhe traditës shqiptare dhe e kam mbyllur librin me fjalët: “Nëse myslimanizmin në mënyrë figurative do ta krahasoja me letërsinë, Bektashizmi është si Poezia e kësaj letërsie, që i bën njerëzit, ashtu si poezia, ta shohin jetën në zhvillim dhe duke u frymëzuar nga parimet kaq poetike si: mirësia, urtësia, dashuria, toleranca, mirëkuptimi, humanizmi… nën dritën tej pamore të diturisë, të vjelin frytet e ëmbla të kësaj bote që vetë Zoti ua ka falur dhe të futen në portën e përtejme pa e kthyer kokën pas.”

Vite më pas lexoj një studim shkencor të Perikli Ikonomit për Dodonën Pellazgjike, një studim që më bëri të qëndroj dhe të meditoj për lashtësinë e popullit tonë, për ekzistencën e perëndive parahelenike, ku tempulli i Dodonës Pellazgjike mbi malin Tomor, ka qenë i përmendur para Opimpit të Greqisë. Studiuesi Perikli Ikonomi edhe ne çaste që do vdiste tha me shqetësim: “Përse nuk flitet për malin e Tomorit… më thoni përse?! Nëse Olimpi, mali i përmendur i Greqisë së vjetër, ka rëndësi historike sot, ca më shumë Tomori i Shqipërisë duhet të jetë më i përmenduri, si selia parahistorike perëndive të vjetra të stërgjyshërve tanë Pellazgo – Illyrianë dhe duhet të ketë një rëndësi historike më shkëlqyese për kohën e vjetër… Tomori për Shqipërinë është monument kombëtar.

E nxitur nga këto që lexova nga ky studiues kudo dhe kurdoherë isha në kërkim të vërtetës historike, ku zakonisht historia jonë është ngritur e transmetuar si një përrallë.
Kështu shkoj mbi Tomor tre vjet rresht dhe bisedoj me shumë njerëz, klerikë, popull, personalitet që vinin, si dhe të huaj që i kishte tërhequr studimi i bektashizmit si fe dhe pikërisht se pse në Shqipëri ishte kryeqendra bektashiane. Shikoja konkretisht ritet që kryheshin atje dhe i ballafaqoja me studimin e Perikliut, ishin po ato dhe dola në përfundim se; për t’u bërë sa më të besueshëm pushtuesit e përshtatën FENË E TYRE me ritet tona të krishtere, por jo me emrin tonë, me imamë të huaj dhe baballarët shqiptarë, (ashtu siç kanë vepruar edhe pushtuesit tanë si Turqia, Italia dhe Gjermania që lejoi Qeveri Shqiptare për qëllime antishqiptare, ashtu siç veprojnë edhe tani përmes marrëveshjeve të fshehta Serbia, Greqia, në pajtim me ndërkombëtarët për të organizuar dhe vënë në skenë KOMEDINË e zgjedhjeve nga populli për ta shndërruar atë në TRAGJEDI për popullin me skenarë serbë, grekë… të luajtur mrekullisht me aktorët tanë politikanë, që veç politikanë nuk janë) që në kohën Pellazge, mbi Tomor, mendohet se ka qenë tempulli i Dodonës Pellazgjike, Dodona dimërkeqe, për të cilën kanë shkruar edhe Homeri “…O Zot, mbret i Dodonës pellazgjike/ Që qëndron në ato vende të largëta/ E sundon mbi Dodonën dimërkeqe/ Këmbëzbathur e gjumëpërdhese…” Kanë folur edhe rilindësit tanë, edhe Isuf Luzaj i Kaninës “Pa qëndroni molloitë/ Kënaqni veshët dhe sytë/ Me harmoninë qiellore/ Që në Kaninë e Shashicë/ Ullishtet, vreshtat pemore/ Me ngjyra të një mijë lloinjtë/ Dhurata Zonjës Dodonë/ Me pasqyrën e Të Madhit/ Me Burunin dhe Sazanin…” (Topografi Labçe” , faqe 10) kanë shkruar dhe ata që e kanë dëgjuar të transmetohet gojarisht brez pas brezi përmes betimeve që vijnë deri në ditët e sotme. Po ta shkruaja sot atë libër, do ta kisha shkruar krejtësisht ndryshe, por për ritet nuk kam se çfarë të ndryshoj.

Në fshatin tim, Kokrevë, në një kodër, janë varreza me kryq, gjë që tregon origjinën e hershme të krishtere, po kush u financua nga shteti ynë për të bërë studime? Shteti ynë edhe studimet e mirëfillta, si e Ikonomit, nuk u lejuan të botohen e jo më të bëheshin kërkime mbi malin e Tomorit, apo dhe në vende tjera që flasin me gjuhën e lashtësisë së kulturës sonë.
Gjatë studimit të kësaj zone (Librazhdit) për efekt të librit “Kur Shpirti Vallëzon” jam ndeshur me shumë toponime që tregojnë origjinën e hershme të krishterë, edhe në zonën ku unë jap mësim, Shushicë të Vlorës, ka mjaft gojëdhëna si dhe toponime, apo dhe vende të shenjta të krishtere që vendasit shkojnë e luten dhe ndezin qirinj (“Maja e Kishës”), apo fakti që Isuf luzaj në tragjedinë “Princesha Ruginë” jep pagëzimin e çiftit (Rugina Balsha me Aranit Komnenin)me prift, në një kohë që ne kemi qenë nën sundimin osman, pra në vitet 1383 – 1462, ndaj në institucionet tona fetare dhe në vendet e shenjta, të kujtdo feje qofshin, shkojnë të gjithë shqiptarët, kjo jo se janë tolerantë, por në ato vende, ku janë kthyer bektashianë, myslimanë, ortodokse grekë, apo italiane, se nuk ua di shumë mirë emrat, por një emër kanë të gjitha; nuk janë fe, por janë antife, janë institucione që në emër të fesë, bëjnë propagandë antishqiptare që do të thotë, ta mbajnë popullin, larg natyrales, larg identitetit, larg shqiptarizmit, larg perëndisë dhe sa më afër Greqisë, Turqisë, Serbisë, Italisë…isë…isë… pra shkurt, fetë që lëvrohen në Shqipëri, në Kosovë, apo dhe në trojet tjera etnike shqiptarepanuk kanë asgjë të përbashkët me fenë… ajo janë fe pa fe!
Në poezinë “Dy vende të shenjta” të shkruar para pak muajsh, them: “Dy vende të shenjta/ Unë lutem në mes/ Kur i flas Kaninës/ “Kuz’ Babai” hesht!” pra ne të shenjtë kemi Kaninën, ku ka lindur profeti ynë Ismail Qemali, por asnjë nuk shkon atje për të bërë pelegrinazh dhe për t’u lutur, se jo pa qëllim u transferua dhe varri i Ismail Qemalit dhe u dërgua poshtë në Vlorë (nëse është dërguar, apo thjesht një ceremoni për të zhdukur origjinën e lindjes në Kaninë) e më poshtë poezia vazhdon: “Pyes “Kuz’ Babanë, vallë nga je ti?/ Unë vij e lutem, si të jesh perëndi/ – Unë quhem Gjergj, emrin ndërruar/ Eja bijë e lutu/ është tokë e bekuar! Kur i flas Kaninës/ “Kuz’ Babai” hesht…” Në pak vargje del komedia historike në Shqipëri, se këto komedi i shkruan pushtuesit me institucionet fetare që brenda tyre të luhej tragjedia e popullit tonë.

E ç’më mbetet në shkrim për të thënë për Anastasios Janullatos, kur ai të parën veprim që bëri, ishte heqja e fotografisë së Fan Nolit nga kishat shqiptare, kur ai ngriti kishat përgjatë Vorio Epirit dhe zhvarrosi stërgjyshërit tanë e i varrosi pranë këtyre kishave si ushtarë grekë nën mbrojtjen e qeverive “tona” e më paradoksi është se kryeministri aktual e mbylli fushatën me poezinë e Nolit dhe asgjë nuk ka noliane në veprën e tij, se kurrë nuk ka kundërshtuar “Jezusin grek” për veprat e tij antishqiptare, kur përdor Nolin për fushatë dhe eshtrat e tij dergjen në dhe të huaj, kur populli po kalon kohë migjeniane dhe ai u heq kafshatën e “dhuron” Preshevës për ta qorruar Preshevasit dhe për të ushqyer Serbinë me shfrytëzim maksimal në këto treva…
E ç’mund të them tjetër…?!
Eh, o popull, sa fort më dhimbsesh/ Ti kurrë nuk shkove atje ku nisesh/ E pse lufton, prapë gremisesh/ Veç tradhtia, s’të lë të ngrihesh…!

PRESS INDEPENDENT

Catégories :Culture, Histoire

Tagué:, , , , , ,

Laisser un commentaire