Culture

ZYBA HYSEN HYSA: KUR LEXOJ KADARENË…

4709434635_fa10f64951

-Kam kohë që nuk më tërheq të takoj (përmes librave) Kadarenë dhe ta dëgjoj në rrëfimet e tij për monizmin, se mezi e kalova atë kohë pa kohë të mirë për mua, por që për Kadarenë ishte një kohë e mrekullueshme, se e ngjiti në majat më të larta duke shkelur, sigurisht mbi kokat tona të pambrojtura, por rishfaqja e tij me një libër së fundmi “Mosmarrëveshja” dhe entuziazmi i një shoqeje qe e kishte lexuar se ai është njeri atdhetar dhe universal në mendime, më nxiti ta lexoj dhe pse ta fsheh, e mbarova së lexuari.
Që në fillim më “mahniti” me analizën e “Himnit Kombëtar”. Po, ku ka qenë më parë ky “bir njeriu”, që nuk ka krijuar një himn tjetër se mbase do të ndryshonte rrjedhën dhe fatin e Kombit Shqiptar?! Ai mund ta bënte fare mirë, se si shkrimtar oborri, e ka pasur mirë me Enver Hoxhën dhe duke përdorur profecinë e dredhisë, që di t’i luaj mirë për interesa personale dhe për interes të kujtdo që i vjen mirë nga fjala e tij.
Ai po bën rolin e të përvuajturit, të internuarit, të përndjekurit nga sistemi komunist! Këtu e besoj, ka të drejtë të ndjehet ashtu tani e jo atëherë, se atë e përndjek përndjekja që u ka bërë shkrimtarëve dhe poetëve që u burgosën, internuan, pushkatuan, apo u vetëngujuan. Për këtë nuk i ka faj “Himni Kombëtar” që ai e quan “Mamuthin tonë”, se gjoja tek kolona e fundit shpreh racizëm:
“Se zoti vetë e tha me gojë,
Se kombe shuhen përmbi dhe,
Po Shqipëria do të rrojë,
Për të, për të, luftojmë ne…”
“Himni Shqiptar të shfaqte befas natyrën, për të mos thënë kthetrat e tij…”
Për çfarë kthetrash e ka fjalën Kadareja, mos i shfaqen halucinacione të shqiponjës së përrallës që e ngriti lart?! “Një ëndërr e fshehtë, ndonjë ide, një doktrinë, që askush s’guxonte ta shpallte, si puna e Shqipërisë së Madhe, për shembull…”
Në kohën që është krijuar himni, nuk mendonin për Shqipëri të madhe, apo për Shqipëri të vogël, por për Shqipëri natyrale, besoj se këtu nuk ka racizëm, se ai thekson më poshtë: “Besimi se Shqipëria do të rronte kur të tjerët do të shuheshin, kishte gjasë të fshihte frikën se ishin të tjerët që do të rronin në kohën që ajo do të shuhej.”
Mendoj se këtu ka të drejtë Kadareja, se me koka si e tij vendi do shkojë drejt shuarjes, por dua ta garantoj, se kurrë s‘do të fiket. Ish ambasadori amerikan në Tiranë në një intervistë tregoi në formën e një fabule për një komb që u persekutua u përndoq dhe u detyrua të mërgojë nëpër botë, por mbrenda vetes mbanin të ndezur dritëzën e shpresën që një ditë do të bashkoheshin dhe do të triumfonin si komb. “… Drita u venit, – tha ai, – por nuk u shua dhe tani ata fituan lirine…” Ne i kemi më të mira premisat, Kadare, se kemi një Shqipëri të Vogël, që ti e braktise atëherë që ajo kishte më shumë nevojë për ty duke e lënë të përpëlitej si një peshk që e nxjerr në zall për të bërë sehir bota, të argëtoheshin me përpëlitjet e saj dhe të pasuroheshin me gjakun dhe djersën e popullit, ike atëherë kur të tjerët që ikën për bukën e gojës i quajte “Jashtëqitja e Kombit” ty nuk të degdisi buka, por frika nga buka. “Ta zëntë buka në fyt!” – mallkon populli ynë ata që i ushqeu dhe e shkelën me këmbë duke e lëne shqiptarin si qen rrugaç nëpër rrugët e botës, ku gjithkush e përndjek, e vret, i përdhunonte emrin, fenë, identitetin… deri sa dhe fëmijëve u thoshin se “Po vjen shqiptari”, në vend që tu thoshin “Po vjen gogoli”, ndërsa me ty ndodhi ndryshe. Parisi i përmallur hapi dyert për të shpalosur krijimtarinë tënde “të persekutuar”, shumë shtete të dhanë tituj e të bënë lavde, ti krekoseshe si gjel dhe kurrë nuk të dëgjova të thuash një fjalë për vëllezërit tuaj nëpër botë, apo për kokat pa kokë të politikanëve tanë. Tani të paska zënë meraku me himnin, mos u shqetëso shumë, shqiptari kurrë nuk ka qenë racist dhe kurrë nuk ka qenë me idenë që të shuhen kombet e tjera, përkundrazi, edhe hebrenjtë i mbajti, kur gjithë bota i përndiqte, por si duket ju brenda vetes keni shkarë nga të qenit shqiptar prej joshjeve të tjerëve dhe mendon se kështu po shket edhe kombi ynë. Unë pata fatin të jem në Kosovë ditën e shpalljes së pavarësisë (për ju nuk e di në keni qenë) dhe kur dola dhe pashë Prishtinën që brohoriste “Rroftë Kosova e lirë!”, “ Duam Shqipëri Etnike!”, ndjeva se këto Ishin thirrje që vinin nga zemra e tokës.
Koha është për Kombin tonë, ndaj mos u merr me analizat e 100 vjetëve më parë, por jep kontributin tënd, nëse ndjehesh akoma shqiptarë, se nuk je vetëm ti, ka shumë që punojnë dhe nderojnë flamujt e botës, por ata e kanë bërë për karrierë, ajo ty nuk të mungonte. Pse nuk merr në analizë mënyrën se si do veprohet për të bindur ata që bënë padrejtësinë për kombin tonë para 100 vjetësh, që të kërkojnë falje dhe të ndreqin gabimin, se tani që shkojmë drejt Bashkimit Evropian, kujt i bën dëm bashkimi i kombit tonë?! Jemi në demokraci dhe demokraci pa dhënë një të drejtë të ligjshme, nuk mund të ketë! Pse nuk analizon gjenocidin çam, për të detyruar Greqinë të kërkojë falje dhe t’u rikthejë pronat pronarëve autoktonë, pse nuk diskuton ligjin e luftës që ka Greqia me ne, por thua se ne kërkojmë të shuhen kombet, kur shqiptarëve në Greqi u ndërrojnë emrin, nuk u lënë të flasin dhe të shkruajnë shqip, por nxjerr teori tymnaje duke cilësuat me fjalë si “Mohsat” “Strehëzat”…. Mos lozni me kombin, mos u merrni me flamurin dhe shqiponjën, por me identitetin tonë kombëtar, me zhvillimin e kombit tonë, se era fryn për ne, ndaj ta shfrytëzojmë për të lëvizur mullirin e patriotizmit shqiptar në dobinë tonë, se të jesh patriot, nuk do të thotë se nuk je shkrimtar universal, nuk do të thotë se je komunist, apo diktator, të jesh patriot është elementi i parë i të qenit njeri, kush nuk e ka këtë ndjesi nuk do as nënë, as babë, as grua e fëmijë, nuk do as veten…!

Dhjetor, 2010

PRESS INDEPENDENT

Catégories :Culture, Dossier

Tagué:, , , , ,

Laisser un commentaire