Non classé

ZYBA HYSEN HYSA: PROF. DR. ISUF LUZAJ KA LËNË NJË VEPËR TË RRALLË E TË GJALLË, NJË VEPËR QË NGJASON ME LIBRAT E SHENJTË…

14732256_1218913488174710_7768909365078233493_n

(refleksione nga librit “Vallja e Luleve”, te autorit Luzaj)

Ashtu siç e thotë edhe vetë autori, Isuf Luzaj, se « Në poemën « Vallja e lulevet » kam përmbledhur vjersha me brendi heterogjene, pa ndërlidhje të një theme dhe pa kontinuitet në kohë », ndaj po të lexosh poezitë e përfshira në të, kalon sa në një temë në tjetrën, sa në një periudhë kohore, në tjetrën, por ajo që i bashkon këto poezi, është shpirtit i autorit derdhur në vargje, me « fshame mërgimi », më « pika loti », me « shfrehje dëshpërimi », me « valle shqiptari » dhe  » dritë fakiri », ku spikat bindshëm dija dhe kultura e lartë botërore e shprehur thjeshtë, por që përcjell mesazhe të mëdha, veshur me ngjyrime figurash artistike plot art…

Ajo që vihet re në krijimtarinë e këtij autori dhe kjo më habit, është përdorimi i gjuhës shqipe, (e pse shpesh ai ankohet se s’di të shpehet në shqip për tema filozofike) ku ndërthuren mrekullisht të dy dialektet e saj; gegërishtja dhe toskërishtja. Ky fakt më lumturon, por edhe siç jam shprehur në takimin shkencor të “Shoqatës së Gjuhësisë Shqiptare” dhe “Institutit Albanologjik” të Prishtinës, mbajtur më 21. 10. 2015, në Tiranë, se “Më çudit fakti kur thoni: “Janë bërë shumë studime shkencore në fushën e gjuhës” dhe në të njëjtën kohë, po ju, thoni: “Gjuha po shkon drejt shkatërrimit…” Shtrohet pyetja: mos vallë duhet të mendojmë se këtu nuk ka shkencë, por vetëm shkrime për të mbushur bibliotekat? Unë mendoj që gjuha jonë ka kohë që lëngon, ajo është si një njeri që i kanë prerë një krah dhe gjuhës i kanë mohuar njërin dialekt: gegërishten, ndaj ajo është INVALIDE, apo si një lumë me dy degë, kur njërën degë e devijojmë, ai s’mund të ketë më shtratin që kish dhe forcë për të ecur përpara… ajo ngjason me një urë që i kanë hequr një këmbë e ka mbetur mes rrjedhës së kohës e s’dihet fundi i saj… Unë nuk jam kundra gjuhës standarde, por ashtu si shumë gjëra që janë bërë gabim në diktaturë, edhe me gjuhën është vepruar mizorisht dhe ajo sopatë e vitit 1972 në Kongresin e Drejtshkrimit që ju dha gjuhës, duke lënë jashtë standardes gegërishten, kullon gjak sot, se lë shkas për të realizuar qëllimet antishqiptare dhe ju po i dëgjoni lloi – lloj teoriash si “Kosovarçja” e cila për pasojë me të drejtë u jep të drejtë të shprehen si barbarë me termin tjetër “Kombi Kosovar”
Përpos kësaj, Isuf luzaj, është një autor që ka njohur mirë letërsinë botrore që nga Homeri, Pindari, Saadiu, Hafëz Sherarzhiu, Khajami… deri tek Borkesi e Cervanti, por ai kurrë nuk bie në imitim të asnjërit, krijimtaria e tij, është vetëm e tij, e shtrydhur nga një mendje brilante dhe një shpirti bujar, siç e shpreh edhe ai « Nuk u vështruan në pasqyra imitimi…/ Besa – besë: sinqerisht/ besnikë të cylës dyjare të labit… »

Isuf Luzaj, përfaqësues i denjë i poezisë moderne simboliste, për vetë natyrën e tij (të qënit filozof) ashtu si shumë filozofë botërorë, që kërkonin ta përçonin filozofinë përmes poezisë dhe dramës, që të shkonte ëmbël në masat e gjëra të popullit, e përçon mrekullisht dhe thjeshtësisht filozofinë në vargjet e poezisë duke transpetuar « Vlera imagjinative – përshkruese », « Vlera psikollogjike – analizonjëse », « Vlera llogjike – mësonjëse », « Vlera estetike – zbukuronjëse dhe  » Vlera etike dhe morale – edukative që janë përzier në poezi, si gjalpi në qumështin », do shprehej vetë autori në hyrjen e këtij libri…

Në poezinë përshkruese « MURGU APOSTAT » përmes vargjeve, udhëton në gjithë ato vende ku ai ka shkelë e ka punuar « Ku ngrin pështyma në erë/ ku bje sheshit si qelq i prerë » e gjer manastireve si një murg i vetëm « Në një çelë Manastiri… Urtë e butë baba teqeje/ i regjur si besë feje/ Me viganët e mendimit… » siç thotë në vargjet e kësaj poezie, por që ka shtrydhur shpirtin deri në pikën e fundit për të lënë brezave shqiptarë një VEPËR të RRALLË dhe të GJALLË, një krijimtari që ngjason me librat e SHENJTË, ku ashtu thjeshtësisht, përçon dritën e së ardhmes së një kombi të përvuajtur, të një kombi që lindi dhe rriti bij të denjë, por që kurrë s’patën mundësi t’i shërbejnë me gjallësinë e tyre…

Në poezinë « KRITIKA » ai përçon vlerën e vyer të kritikës së shëndoshë për këdo që pretendon se shkruan vlera për të ngritur vlerat e një kombi. Kritika dhemb, ajo është si thika e operacionit që heq tumoret të mos zhvillohen më tej, ajo dhemb, por shëron, ndaj ai krijues që s’pranon kritikën, krijimtaria e tij është si të hedhësh farën në gjerrishte, ku edhe mund ta hanë zogjtë pa mbirë, apo të lëshojë rrënjë në cektësirë e s’do ketë mundësi të lulëzojë e të lidhë frutet. Është kritika që çanë hullitë, ku mbillet arti dhe letërsia për të lëshuar rrënjë, ashtu si një farë e mbirë në hulli të thellë… Mrekullisht, thjeshttësisht dhe saktësisht e shpreh autori Isuf Luzaj në këtë poezi. « Kritika si parmenda çjerr lëndinën/ E plagos rëndë sa më thellë e bën vijën/ Porse lind e frymëzon bimën/ Në mendje të shëndoshë nuk ka vend zemërimi ».

Koha, gjëja më e çmuara e jetës, por për fat të keq, vlerësohet më pak dhe shpërdorohet më shumë. Koha është ajo që sjell ndryshimin, jo thjesht NATE – DITË, por ndryshimin e jetës së njeriut, ndryshimin e jetës së një populli, ndryshimin e botës…
Ai që shpenzon kohën kot, vetëm merr frymë, por s’është gjallë, ai vret kohën dhe koha vret atë.
Nuk mund ta kuptoj, as ta imagjinoj një krijues që e shpenzon kohën pa motiv thelbësor, por duke rrotulluar mausin e kompjuterit, ashtu si pleqtë e parë numuronin gurët e tespive për të kaluar kohën, por ata bënin diçka të vyer, këndonin me mend syre nga kurani dhe shkonin drejt perfeksionit shpirtëror, ndërsa në kohën tonë po shkojnë drejt degjenerimit…
Krijuesit nuk po përhapin më art e kulturë, por çfarë të dalë përpara, duke i kthyer poezitë sipas shijeve të adhuruesve të facebook – ut, duke bërë « kritikën » sipas preferencave miqësore e jo sipas vlerave.
Krijuesi, jo vetëm krijimtarinë ta ketë model, por edhe vetë si personalitet, duhet te jetë model për shoqërinë… Kur krijuesi edukon shoqërinë me sjelljet e tij, me prezencën e tij, atëherë është e sigurtë se krijimtaria e tij do ta luajë këtë rol pas vdekjes së tij…
Në poezinë « KOHA » autori Isuf Luzaj shprehet: « Do kursyer koha që të ketë më shumë dukë/ Për t’a përdorur në mënyrat e jetës… Kushdo që s’shijon yjet me qiell/ Zë një vend që s’i përket nën diell/ Jeton si ëndërr, pa ëndrra të tija… »

Shoqëria jonë shqiptare po lëkundet me tërmet shumë ballësh, duke lëvizur themelin e saj, FAMILJEN, si çerdha e lindjes, rritjes dhe edukimit të brezave.
Nuk është vendi në këtë shkrim, por dua ta them, se një nënë e re kishte nxjerrë foshnjën me karrocë në lulishte dhe ai qante, ndërsa ajo merrej me FACEBOOK… U tmerrova! Si vallë nuk e përkëdhelte, as t’i thoshte fjalë nëne, ta qetësonte, të lozte me të, ta kënaqte e të kënaqej???
Ku po shkojmë?
Më ra rasti të udhëtoj gjatë me një çift, gjithë rrugës u therën me fjalë me njër – tjetrin, e shkak ishte FACEBOOK, ku burri rrinte gjer afër mengjesit pa shkuar në shtrat e mendo sa i aftë ishte ai për të punuar me pacientët, se ishte mjek. Po kështu, ka plot gra që burrat flenë në shtrat e vetë në FACEBOOK duke biseduar me « DASHURINË E JETËS » Ka plot familje që shtëpinë e kanë kthyer në sallë interneti, ku secili futet në labirinthet e tijdhe mungon komunikimi e bashkëveprimi mes tyre… Ku po shkon kjo shoqëri? Kush do e edukojë brezin e ri, kush do i ndihmojë fëmijët të gjejnë udhën e jetës? Unë nuk them të kthehemi pas në kohë, atëherë kur autori i këtij libri ishte fëmijë dhe kujton nënën e tij që e ndiqte hap pas hapi për tu bërë dikushi në jetë, saqë ajo shiti ullinjtë për të shkolluar djalin, ajo nënë që i rriti fëmijët në mungesë të tij si i përndjekur dhe i dënuar me pushkatim nga antishqiptarët shekullorë… FËMIJËN E LIND, E RRIT, E DREJTON VETË FAMILJA E TIJ, PRINDËRIT, NDAJ KUJDESI PËR FËMIJËN, ËSHTË JO VETËM THJESHT DËSHIRË, POR DETYRIM!
Në poezinë « ÇDO MËNGJES » autori do të shkruante: « Ngrehu! Është ora të nisesh për shkollë…! / Në sytë e tu si një re kujdesimi… »

Siç edhe e përmenda më lart, në poezinë e këtij autori, ka “fshame mërgimi”, “pika loti”, “shprehje dëshpërimi…” të cilat i mbart një shpirt i malluar për vendin e tij, për atë vend që luftoi me mish e me shpirt për ta bashkuar drejt zhvillimit, por dora TRADHTARE kur bashkohet me BARBARIN, mund edhe ZOTIN e kur edhe Zotin s’e ke, mbetesh në mëshirën e fatit, endacak nëpër botë. Zgjuarsia dhe aftësia e Prof. Dr. Isuf Luzaj, bëri që edhe në vendin më të zhvilluar të botës të ndrijë e të tërheqë vemendjen deri dhe të presidentit Regan, i cili i dorëzoi dekoratën « Mësues i Amerikës » duke u shprehur: « Kam dëgjuar për ju dhe kam mësuar nga ju… » Suksesi në vendin e huaj sjell çaste ngazëllimi dhe këto vijnë duke menduar se kujt kombi i përket dhe vetëm nga dëshira për ta treguar veten se jemi një komb me vlera, ke arritur të bësh diçka për të…
Emigrantët shqiptarë ndryshojnë shumë nga emigrantët e botës, se ata ikin e kthehen kur të duan, ndërsa emigracioni i viteve 1944 ishte politik, s’kishin mundësi të ktheheshin, ishin të dënuar me vdekje dhe e vetmja ëndërr dhe dëshirë u mbetej për rikthim, të vdisnin për tu prehur kockat në atdhe… Po kaq e dhimbshme është edhe sot, ikin shqiptarët, por mbeten andej, se shteti ua mbyll kthimin me shpërfilljen e tij bastarde, se të kesh një shtet që s’di dhe s’do të dijë për shtetasit e vet, do të thotë se s’kemi shtet, ai vetëm emrin ka shqiptar, se ushqehet me lëmoshrat e këtij populli martir, por një zot e di, se kujt i shërben!!!
Dëshpërimi i autorit shprehet qartazi në poezitë « DIKUR », ku shprehet: « Sa gjellë e pashijëshme paskej qënë jeta/ Thasë me gënjeshtra, thërrime të vërteta…. Me sa turp bje loti, nga syri i luftëtarit » apo në poezinë « LËNDINA E GJUMIT », ku ndër të tjera shprehet: « Mos më vështro, me habi, si në gjumë/ Vij shumë i lodhur nga larg prapa diellit/ A nuk më njeh? Kam ndryshuar shumë/ Ngjyra e lëkurës si plujuri i mjellit/ Bora mbi kokë, faqet me rrudha/ Më lodhi mërgimi, më lodhi shumë udha/ S’desha të fle në dheun e huaj/ Erdha të ngjall historinë e harruar/ E vetmja lutje që i bëra qiellit/ Pesëdhjetë vite, lumë e përrua/ Bashkë t’i zbërthejmë panxhat e Ferrit/ Në më kujton kur të futa nën gunë/ Lap’ i panjohur për n’udhë të nderit/ Bëj pak më tutje, të kumbisem dhe unë… »
Po kështu në poezinë « APOSTAZI » ai do shprehej: « Sa e rëndë pesha e atdhedashurisë/ Nuk paska helm më t’egërt se trishtimi…/ Hiqma nga shpirti atë zjarr të lirisë/ Më bje neveri epoka e dështimit/ Mallkuar qoftë kush beson dashurisë/ Mallkuar kush i beson frymëzimit/ Mallkuar idealet e gjithë fantazisë/ Në shekujt e gjumit do flë me harrimin/ Ki mëshirë në mos paç drejtësi ».
Një ndër poezitë më të bukura është edhe « MADHËRIA » ku jepet ideja se kushdo që lindi do të vdesë, por ajo që mbetet është vepra, puna dhe përpjeka. « Foli pisha, mbi lëndinën e heshtjes/ « I bini të gjithë nënë rrënjët e mia/ Do t’u lehtësojë, angushtinë e përpjekjes/ Kur të nënshkruajnë paktin e dorëheqjes/ Do t’u japë paqe: nata dhe hija…”

Përherë njerzit e ditur nuk i ka pranuar brezi i tyre, ata lanë lindur për të ndritur përtej kohës që jetojnë dhe historia njerzore tregon, se cilit bënë shkencë dhe filozofi largpamëse, u dënuan, apo u dogjën në turrën e druve. Heroi i mendimit shqiptar, Isuf Luzaj, pati fatin më të keq, u dënua të ikte nga atdheu dhe më pas (pas viteve ’90), u shpërfill për të mos u kthyer edhe përmes veprës së tij, amanet për rininë e shekullit XX. Isuf Luzaj, edhe pse nuk e ka marrë titullin “NDER I KOMBIT” ai është “HERO I MENDIMIT”, ai la pas një thesar, i cili ende rri thellësive, se ende s’janë në gjendje ta dallojnë për ta shfrytëzuar në dobi të popullit dhe kombit…

Dhe është e çuditshme, vetë populli i mohon, vetëm prej shkëlqimit të tyre… « Rrallë e tek nëpër shekuj, papritur/ Koha pjell njerzit e ndritur…/ Kur koha është e errët/ Njerzimi është i verbër/ Kur shkëlqejnë diejtë/ Njerzimi prishet nga mënt/ Ca të tërbuar, ca në ëndërr, ca në dehje/ Përse – së dhe shkakut, shpjegim s’ju gjënt… »
Të diturit, të drejtët, ata që thanë të vërtetë, pësuan kaluarin e vuajtjeve dhe kryqëzimin si Krishti. Populli mbështeti krimin dhe përbuzi të mirin, kjo e ka ndjekur e vazhdon ta ndjekë njerzimin, aq më shumë në vendin tonë, ku edhe pse dihet që është kriminel, hajdut… përsëri populli e voton e më pas prapë e shanë… Absurditet, po mirë e thotë o madhi Isuf Luzaj: « Këtu nuk mbaron tragjikomedia/ Pas yjesh të djegur vijnë yje të tjerë/ Kush di se ku do mbarojë Historia ».

Tiranë, më 29 tetor 2016

PRESS INDEPENDENT

Catégories :Non classé

Laisser un commentaire