Dossier

ZYBA HYSA: AKTIVITETI POLITIK I ISUF LUZAJT

Prof.Dr_.-Isuf-Luzaj«Ideali politik imi ka qenë demokracia e për këtë kam luftuar i vetmuar, pa pritur kurrë mirënjohje…” (Isuf Luzaj).
“Në Kortona, së bashku me Ali Agollin, disa persona të parisë dibrane dhe Isuf Luzajn i porsa sjellë prej Ventontenos, kuvendojnë për çështjen e rezistencës që i duhet bërë pushtuesit. Aliu i njoftoi për formimin e Frontit të Rezistencës Kombëtare, që Luzaj propozoi të thirrej Partia Nacionaliste e Rezistencës « Mbrojtja Kombëtare ». Mirëpo Aliu u shpjegoi interpretimin objektiv të Md. Frashërit dhe çështja u mbyll. Aty u shqyrtuan edhe disa pika që duhej të përmbante programi si dhe çështje të organizimit”(Isuf Luzaj “Ditari i Përpjekjes, dorëshkrim)
Pas daljes nga burgu në gusht të vitit 1942, siç u tha edhe më lart, ai përnjëherë filloi punën e tij patriotike në shërbim të Atdheut, i detyruar që të dilte ilegalitet fill pas një muaji, më 13 tetor 1942. Në “Ditarin e Përpjekjes do të shkruante: “Me urdhër të Ali Klisurës u dërgua në Himarë të nxirrte ilegal Hysni Lepenicën, nënprefekt në Himarë. Mbas dy ditë bisedimesh e bindi Hysni Lepenicën të linte përfundimisht nënprefekturën për një mbledhje në Peshkëpi, në shtëpinë e Avdyl Kuçit. Ishin në mbledhje: Aristidh Ruci, Doktor Vasili, Sabri Mezini, të tre qytetar të Vlorës. Erdhën në mbledhje Skënder Muçua, Bego Gjonzeneli, Tahir Hoxha nga Tragjasi, Rrapo Metua nga Kallarati, Hasan Hysua nga Velça, Xhevit Hyseni e Sulo Shehu nga Sevasteri, Mane Aliu nga Shkoza, Shahin Nuredini nga Gorishti, Neki Selimi nga Hoshtima, Hamdi Çeprati nga Çeprati, Neki Tahiri dhe Hysen Çobua nga Trevllazëri.
U lexua dhe u betuam me formulën e dekalogut të shkruar në Contona D’Arezzo nga Ali Klisura, Isuf Luzaj dhe Ali Agolli nga Dibra. Ky dekallog u transformua më vonë nga Thoma Orollogaj me kërkesë të Mit’hat Frashërit… dhe të Faik Qukut.
U formua:
Komiteti Krahinor në qytet me: Aristidh Rucin, Abdyl Kucin, Sali Mezinin, dhe Tahir Hoxha e Bego Gjonzeneliaj.
Komandant i çetave, Hysni Lepenica
Këshilltar politik, Isuf Luzaj dhe Skënder Muçua.
Për përgatitjen e popullit për luftë kundra Italianëve, u ndanë zonat kështu:
Tragjas, Dukat, Radhimë, Tërbac, Vranisht, Kallarat: Skënder Muçua
Bolenë, Smokthimë, Vajzë, Kudhës, Gorrisht, Topallti: Isuf Luzaj.”
Pasi nuk u arrit takimi me përfaqësuesit e Partisë Komuniste në Orenjë të Librazhdit, atëherë nacionalistët filluan organizimin e tyre, ku Isuf Luzaj kaloi për rreth 53 dite në këmbë gjithë veriun e Shqipërisë, deri në Gjakovë e Prishtinë. Ai do të shkruante në kujtimet e vete tek “Ditari i Përpjekjes”: “Mit’hat Frashëri, i komunikoi Isuf Luzajt që të nisej në komunitetin Ballshit – Dibrës – Rrëshen – Lumë, Reç e Dardhë bashke me Faik Qukun…
Në shtëpi të Cen Elezit, ku vendosi Komiteti Qendror e bombardoi aviacioni italian për arsye të Besës Dibrane.
Besa Dibrane u mblodh në malin e Dibrës, afër një katundi të vogël. Kryetar i Besë Dibrane ishte Cen Elezi, nënkryetar, Ali Agolli, Kryetar i kuvendit, Mid’hat Frashëri… Me Cen Elezin, vëllain e Mehdi Elezit, dhe me katër djemtë e tij, me një çetë afërsisht 300 vetë t’armatosur, Isuf Luzaj me çetën e vogël të Vlorës, vizitoi afërsisht 16 fshatra të Dibrës së Madhe në Jugosllavi…
Fjetëm një natë në malin Korab, mbuluar me borë e harruar, nata më e ftohtë e jetës t’ime. Pas 13 ditësh, në shtëpi të Cen Elezit u nisëm në drejtime të ndryshme:
Komiteti qendror – Mit’hati… për Mullet të Tiranës, Faik Quku për Shkodër, Isuf Luzaj për Gjakovë me dy rojet personale, njëri i biri i Hysen Çobos. Më dhanë urgjent një letër të Mit’hatit që thoshte; “Kthehu në Shkodër, në Mirditë te Gjon Markagjoni. Atëherë të dy rojet i nisa për në Vlorë me një letër për Komitetin Krahinor, kurse unë, Isuf Luzaj, bashkë me ushtarët e Faikut vazhduam udhëtimin për Mirditë. Në një katund të Mirditës, në shtëpi të patriotit Kolë Bajraktari, s’më bie ndër mend emri i katundit, u takova me Mark Markagjonin, i biri i Gjonit, ish shoku im në Gjimnazin e Shtetit, me Ministër Hilë Mosi mbylli dy licetë fetare Jezuite. Marku më pruri një letër të Met’hatit të shkruar nga dora e Profesor Andonit me firmën karakteristike, shkrim i dredhur i Mid’hatit. Letra thoshte: “I dashur Isuf, nisu për në Kukës, ku të pret nxënësi yt, Zef Marku, Ali Seferi nga Gjakova, Ejup Binaku”, ky i gjori me ethe të rënda, ish sakat nga këmba e djathtë (Ky më vonë vrau Dushan Mugoshën në rrethet e Gjakovës, bashkë me Enver Bushatin, Xhelal Bushatin (i biri i Sulçe Bej Bushatit) dhe Ragip Lohja që do të shoqërojnë për Gjakovë, Mitrovicë, Prishtinë…
Duke u bindur qorrësisht urdhrit të Mit’hat beut shkuam në Gjakovë, Mitrovicë, ku u takova me Mahmud Devën (vëllai i Xhaferr Devës), vazhdova udhëtimin për Prishtinë… Në ballkon të Prishtinës (Bashkia e vjetër me dy kate), ndërsa po flisja popullit, m’u afrua e me zë të dridhur nga emocioni, Hasan Dosti më tha: “Preje fjalimin shkurt, se u vra Skënder Muçua nga Gjermanët.” E shkurtova fjalimin përgjysmë duke e përfunduar me Lidhjen e Prizrenit, kryetarin e saj Abdyl Frashërin, ati i kryetarit t’onë, Midat Frashëri. Këto fjalë i përmenda si në fjalimin e Besës Dibrane, në Mirditë, Malësinë e Dibrës, Lumës, Shkodrës …
Para 10 – 12 ditësh punimi me rininë shkodrane, u nisëm për tiranë. Në shtëpi të Faik Qukut, ku banonte edhe kish zyrën e tij Mid’hati. Ky më priti në dhomë me kënaqësi, më përqafoi, gja që e bënte shumë rrallë, më uli pranë tij, me Ali Klisyrin në krah të mëngjërt, me Hasan Dostin dhe Faik Qukun karshi, me Thoma Orollogonë afër Hasanit. Më mburri tepërsisht për punën time në Reç e Dardhë, në Kukës, në Mirditë, në Gjakovë, në Pejë dhe në Prishtinë. Hasani dhe të tjerët më përgëzuan me pak fjalë, kurse Ali Klisura tha: “Ky i ri ka të drejtë të shkrijë Organizatën “Mbrojtja Kombëtare” të Qazim Koculit me të gjithë krerët e Labërisë që adhuronin Qazimin, në Organizatën “Balli Kombëtar”
Rexhep Melimeci komenton: Koculi e kish paraparë këtë vizion, sepse e pranonte të nevojshme për të përballuar Komunizmin në Jug. Unë i shtova tre fjalë që më shkruante Koculi nga Tirana dhe letrën ma pruri Avdul Kuçi, ku Vigani shkruante: Puno për Ballin, kundra komunizmit, se Italinë do e rrëzojë Amerika, jo na dhe mbas lufte, komunistët do të hapën vëllavrasjen për të mos pasur rival në parlament, prandaj ‘Kurorë e varfër kurorë, po humbi lufta në Vlorë, humbi Jugu dhe Veriu” Për hir të vërtetës dëshmoj, se i vetmi “burrë” që fshiu lotët me dorë, qe Ali Klisyra, i cili shtoi: “me humbjen e Qazimit, kemi humbur gjysmën e luftës”
Pasi u tërhoq zonja Quku, që na shërbeu kafenë, Midati foli: “Skënderin e vranë gjermanët dhe këta e morën vesh punën e Skënderit në misionin aleat në Dukat nga Vizhdan Risilia.
E pyeta:
Pse e vranë dhe nuk e shpuri Vizhdani në Gjermani se po dërgon qindra vlonjatë.
Rexhep Mitemin observoi:
Kjo nuk është procedura e shërbimit sekret SS një ndarje e Gestapos gjermane.
Kur një i pandehur, armik i gjendet një fakt ai njeri ekzekutohet me vendimin e gjeneralit gjerman të vendit. Skënderit i gjetën në xhep një fotografi me misionin aleat; SS – ja e Vlorës pyeti Xhemal Gucin , ky dha urdhër ekzekutimi.
Po profesor Yzeir Ismahili dhe kushëriri i parë i gruas t’ime; Zaho Mezini, ç’krim
bënë?
Asgjë, – tha Rexhepi, – vetëm që ata kërkuan vetë të shoqëronin Skënderin. Këtë
kallëzim, e kam të vërtetë nga goja e Mubareq Toptanit, këshillonjës i Gestapos dhe kapiten i saj me uniformë gjermane. Ky kishte të bënte me gjak me zonjën e Mid’hatit. Vehbiu, i biri i Mehdiut, ma konfirmoi këtë lidhje.
Të bisedojmë tani mbi problemet më me rëndësi, – tha Ali Klisura, duke iu
drejtuar Mid’hatit i tha:
Jepi profesorit urdhrin e vendimit tonë.
Po, Ali Bej, por mos u nxito.
Duke m’u drejtuar mua më komentoi vrasjen e Hysni Lepenicës në Grehot me 37 komandantë çetash.
Tani, – tha Mid’hati, – Komiteti Qendror vendosi, se ti djalë i dashur do të zeçë
vendin e Hysniut, dmth, komandant i fuqive vullnetare të Jugut, në Shkumbin e poshtë e do konsultohesh me Faikun, me Alinë dhe me Eqrem Bej Vlorën. Të lutem, – më tha duke më vënë dorën mbi shpatull, – shiko, mos ji i rrëmbyer si në Selenicë!
Me pëlqimin e Irfan Bej Ohrit dhe të Mahmud Bej … mora nën komandën t’ime dhe fuqitë vullnetare të tyre, nën komandën e Isa Manastirit dhe Hamit Matjanit.
Me pëlqimin e Shefqet Bej Vërlacit mora nën komandën time fuqitë Dumreja me komandant profesorin Alush Lleshanakut.
Me pëlqimin e Abaz Kupit, në letër të nënshkruar nga heroi i Krujës e shkruar nga sekretari i tij Gogo Goga (Ish profesor i edukatës fizike) nën urdhin t’im.
Arshi Xhindi (ish deputet) dhe Sadik Shahini (deputet) i Vlorës, të cilët mu bindën si fetarë të mirë duke njohur firmën e Bazit, se ish e pafallsifikueshme.
E pyeta Faikun:
Sa vullnetarë kemi me armë në front?
13 – 14 mijë, – m’u përgjigj, – po si do të bëçë me Kadri Çobanin, i cili është mik i
ngushtë i Xhemalit t’ushtrisë gjermanë në Berat e Fier. Në mos dashtë Kadriu me t’u bindë, folëm mua në telefon në çdo kohë.
Kadriu është nën influencën e Beglish bej Cakranit, dhe Beglishi më beson mua e
më bindet shtoi Aliu, unë do ta shoqëroj profesor Luzajn në Fier.
Pas pak fjalësh pa rëndësi, i përshëndeta dhe dola nga dhoma e pritjes e
parlamentit të Faik Qukut, ku në surprizën t’ime pashë Eqerem bej Vlorën, mik i vjehrrit t’im, Rifat Mezinit, Nuredin bej Vlorën dhe Qemal bej Vlorën, që po prisnin për të biseduar me Komitetin Qendror. Në oborr, duke hipur në automobilin e Komitetit, që do më shpinte në Kavajë për prezantimin tim me fuqitë e Irfan Ohrit dhe të Mehmet bej Miltunit, pashë se po zbrisnin nga një veturë e madhe “Fiat”, Maliq bej Bushati dhe Xhevat Korça, të dy bashkëpunëtorë të qeverisë italiane; i pari si kryeministër, i dyti Ministër i Arsimit me Krujën, mbeta aq i dëshpëruar sa dhe i deziluzionuar nga mendimi që fashistët e djeshëm, vinin tani të ishin dirigjonjësit e mi. S’gjeta tjetër mendim, veçse të ul kokën pa i përshëndetur, të nis udhëtimin t’im aq fatkeq, sa të gëzuar prej entuziazmit tim, si një i ri luftëtar për një demokraci. Udhës mendoja me një anë, është Bazi i Canes për Zogun, me anë tjetër pashë tradhtarët e djeshëm fashistë…
Dëshpërimi më i madh që kur arrita në Vlorë ku gjeta zero, zero, zero ideal kombëtar; anarki, kusari, grabitje dhe grindje për fuqi, në mes të Sadik Shoshës, kundra Avdul Kuçit, në mes të Mulla Azem Dukatit, aleat, dhe Sadik Shoshës kundra komitetit Krahinor që tani me vdekjen e Aristidh Rucit i dominonte të lirë me personalitetin e tij , atdhetar, sinqeritetin luftarak.
Komiteti Krahinor i Ballit qe isha dhe unë, tani ishte zhdukur.
Nuk ishin më: Aristidh Ruci, Sabri Mezini, Avdul Kuci, Destan Sezai Agalliu, Ahmet Velo Nurja, Sadik Çoban Borua, Hamdi Çeprati.
Tani ishin: Sadik Shaska, Mulla Azem Dukati, Enver Risilia, Kristaq Shati, Shezai Qemali, Kuestori fashist, Koço Muka, dhe të tjerë italofilë që s’ua kujtoj emrat. Nga këta, Sadiku, Zograt, Enveri kushëriri i Vizhdanit, zogist, Kristaq Shati, Shezai Qemali, bashkëpunëtorë të Kontit Solomi, konsulli i Italisë në Vlorë, Kico Muka, kuestori i fashistëve, më kishte internuar mua me 12 studentët në Ventotene.
Me karakterin tim Iliro – Trak, me pak brutalitet i ndiqja të tërë, me përjashtim të Mulla Azemit, Sadik Shaskës dhe Kristaq Shatit.
Formova Komitetin Krahinor të ri me; Avdul Kucin, Sadik Shaskën, Hamdi Çepratin, Sabri Mezini, Gani Tafilin, Brahim Çepratin.
Komandant të garojnë: Brahim Çeprati dhe Sabri Mezini, Ahmet Xhindi nga Kanina, Sadik Shaska e mori përsipër vetë me pëlqimin e tij që ai të ishtë ndërlidhësi me Enver Risilinë dhe ai me Vizhdan Risilinë dhe ky me Xhemal Veller, komandant i batalionit gjerman në Vlorë.
I thashë pastaj Sadikut të mos zinte në gojë emrin t’im as me Vizhdanin, as me Enverin, aq më shumë me gjermanët…
Kur u ngëtheva pas më se gjashtë muaj, që kisha lënë Vlorën, e para detyrë që bëra, vajta dhe ngushëllova zonjën e Skënderit në shtëpi të saj, Muço Sharrës, krejtësisht ngushëllova Muçon për vrasjen e të birit, Hazis Sharrës. Vajta dhe ngushëllova Muim Mezinin, vëllai i vjehrrit tim, Rifat Mezinit për vrasjen e Zahos. Muimi përpara të nipit, Zija Mezinit, Shehap Mezinit (Përgjegjës i guerileve si inspektor mali), Sabri Mezinit, Avdul Kuçit tha: “Unë e di që djalin ma vrau Vizhdan Risilia, por që s’kam fuqi, nuk i marr dot hakën.” Ndërsa Avduli tha: “E vranë gjermanët!”
Jo, – tha, – e vrau Vizhdani…
Kur u ktheva në Vlorë pas afro 6 muaj larguar e gjeta, Qabenë e shqiptarizmit në këtë gjendje:
Fuqitë e Ballit Kombëtar nga të 3500 – 4000 burra të armatosur, 12 çeta, tani kishin mbetur 218 vetë të refugjuar në Llakatund tek Eqerem bej Vlora. Me marrëveshje me Mit’hatin, Eqeremi i kish falur çifligun e tij me afro 140 lopë qumështore, vica dhe ushqim për vullnetarët dhe popullin.
Vullnetarët e Ballit Kombëtar, të viteve 1942 – 1943, kishin boshatisur çetat. Disa ishin ngëthyer në shtëpi, të tjerë hyrë xhandarë nën komandën e Hysni Demës në Tiranë, disa kishin vajtur në brigadat komuniste dhe një pjesë e vogël ishin konvertuar në kusarë, tregtarë, mafiozë, matrapazë mesjetarë….”
Siç e është përmendur edhe më lart, Isuf Luzaj në burgun e Cortona D’Arezzo, bashkë me Ali Klisyrën shkruan Dekalogun e Ballit Kombëtar, ku përpilon edhe pikën 7. Më pas veprimtaria e tij propagandistike nuk do të reshte kurrë për të mbrojtur tezat e këtij Dekalogu, por disa nga krerët e Ballit Kombëtar binin ndesh me idetë e tij, ndaj duke u mbështetur në Dekalogun e Ballit Kombëtar, bashkë me disa shokë vendosën të krijonin Partinë Social – Demokrate…
“Në maj të vitit 1942, ne shtëpinë ku banonte A. Këlcyra ne Tiranë, u bë një mbledhje e gjerë nën pretekstin se do të organizonte përkujtimin e vdekjes së xhaxhait, Muhamet (Hilmi) Këlcyres, ku moren pjesë: Md. Frasheri, F. Dibra, K. Tromara, N. Vlora, H. Dosti, F. Quku, I. Luzaj, S. Butka, F. Frashëri, Musine Kokalari, prof. dr. Sulejman Riza, Lec Kurti, Th. Orollogaj, Lef Nosi dhe A. Këlcyra. Mbledhja vendosi që organizata e Frontit te Rezistencës tani e tutje të thirrej vetëm organizata « Balli Kombëtar » dhe zgjodhi si kryetar Mit’hat Frashërin, një nga figurat karizmatike te patriotizmit shqiptar. Drejtuesit e komitetit të rezistencës u miratuan si udhëheqës të organizatës se sapo pagëzuar” (“Një dritare burgu” Petrit Velo).
“Sot i paraqita Fundos statutin dhe programin e Partisë Socialdemokrate, për të cilën më patën ngarkuar. Në mes të pak vërejtjeve që bëri ky mbi projekt statutin tim, qe që nuk duhej të fillonte me drejtësi shoqërore e pastaj liri politike, porse binomi duhej të fillonte me liri politike e drejtësi shoqërore” (Isuf Luzaj, fletë ditari”).
“Duke u mbështetur tek Dekallogu, thashë që të formohej Partia Social – Demokrate. E pranuan dhe pas shumë debatesh, më tepër unë me Isuf Luzin përpiluam programin e Partisë dhe moralisht njohëm Skënder Muçon si udhëheqës që të merrej më tej. Unë shkova të bisedoja me Mitat benë, po nuk e gjeta, po fola me Hasan Dostin, që ishte zëvendësi i tij. Ky njeri i ditur, modest dhe i butë, skish asnjë iniciativë, vetëm atë njeri që ishte dakord se ç’thoshte Mitat Beu, vetë nuk lidhte dot as dy fjalë” (Musine Kokalari: Si u krijua Partia Social – Demokrate, “Infoarkiva”, 23 Tetor 2012).
“Ja parashtrova krijimin e Partisë Social – Demokrate, ai u përgjigj se Mitat beu nuk ishte dakord dhe nuk e aprovonte. U përgjigja se ne nuk kishim nevojë për aprovimin e tij, pasi atë e përfshinte Dekallogu. Ne botuam një trakt dhe lajmëruam formimin e saj. U bë vetëm një mbledhje. Atë e organizoi Skënder Muçua. U mblodhëm në një shtëpi në rrugën e Elbasanit. Ishin mbledhur rreth 60 burra…” (Isuf luzaj, fletë ditari).
“Që nga viti 1939 deri ne vitin 1941 nuk rreshti aktiviteti i tij patriotik në demonstratat e deri në formimin e pluralizmit në Shqipëri me krijimin e Partisë Social – Demokrate si dhe në qytetet Shkodër, Vlorë, Tiranë, Dibër, Gjakovë, Prishtinë… Në këto grupe militonin njerëz me kualifikim të lartë, bij të familjeve patriote që e nisën jetën nga baza e lart brenda ndërgjegjshmërisë përkundrejt asaj gjendje ekzistuese mjerane që kalonte vendi. Ata me Dekalogun Programor i hartuar ky me pjesëmarrjen e pandare të Isufit, në themelimin e këtij programi mbetej zbulimi i vlerave dhe i talenteve të reja, duke i ndjekur ata në jetën e tyre e për t’u krijuar kushtet maksimale për të vazhduar studimet në vendet perëndimore” (Historiani dhe filozofi i famshëm shqiptar, Isuf Luzaj, postuar nga “Kontinenti” datë 26 Tetor 2006).
“Në këtë kohë, sidomos nga fundi i luftës, Isuf Luzaj u dallua shumë edhe si politikan. Ai së bashku me intelektualen Musine Kokalari, Skënder Muçon dhe Selman Rizën duke u mbështetur te Dekalogu i Ballit, mendon dhe punon për themelimin e Partisë social – demokrate të Shqipërisë. Me themelimi e kësaj partie këta nuk u hodhën kundër Ballit Kombëtar dhe as nuk u larguan nga kjo organizatë, por këtë veprim e realizuan sepse shikonin plogështinë te disa udhëheqës të Ballit dhe se kërkonin sa më shumë veprimtari dhe bashkim. Në këtë kohë Isuf Luzaj jo vetëm që është njëri nga themeluesit e Partisë Social demokratike, por së bashku me Musine Kokalarin është edhe përpiluesi i programit të kësaj partie. Isuf Luzaj gjatë kësaj kohe ka ndihmuar Musine Kokalarin edhe për nxjerrjen e organit të kësaj partie titulluar “Zëri i lirisë “ dhe se ka qenë edhe bashkëpunëtor i kësaj gazete, sepse në numrin e parë të saj është botuar edhe një poezi kushtuar dëshmorit Hysni Lepenica, e hartuar nga ai” (Makensen Bungo: Bisedë për Prof. Dr. Isuf Luzaj, e diel, 23. 10. 2011, “Zemra Shqiptare”).
“Veprimtarinë dhe zotësinë e Isuf Luzaj në themelimin e Partisë Social – demokrate dhe përgjegjësinë e tij në organizatën e Ballit Kombëtar e ka përmendur edhe diktatori Enver Hoxha, cili në një letër të datës 2. 4. 1944, që i ka drejtuar Nako Spiros, midis të tjerave është shprehur se “ … Aty sigurisht ndodhet Isuf Luzi, i cili ka një përgjegjësi me rëndësi në Partinë Social Demokrate dhe ka qenë dhe është në përgjegjësi në rreshtat e Ballit Kombëtar “(Makensen Bungo: Bisedë për Prof. Dr. Isuf Luzaj, e diel, 23.10.2011 “Zemra Shqiptare” ).
Edhe pasi emigroi jashtë shtetit, Isuf Luzaj nuk do të ndërpriste veprimtarinë e tij patriotike për të kontribuar në rrëzimin e diktaturës komuniste në Shqipëri. Ai do të shkruante në shumë gazeta prestigjioze si në Gazetën “Uashington Post”, Chikago tribunë”, “Neë York Tribune”, “Tribune Chikago son time” dhe “El progreso”, si dhe duke folur në radio “Europa e Lirë”.
“Në Vlorë nacionalistët kërkuan kontakt për bashkëpunimin me forcat nacionalçlirimtare. Hysni Lepenica, Skënder Muço, Isuf Luzi, Rrapo Meto etj. e ndjenë përgjegjësinë historike, prandaj këmbëngulën në arritjen e marrëveshjes për bashkëpunim jo vetëm në qarkun e Vlorës, por edhe më gjerë. Ata negociuan me drejtuesit kryesorë të lëvizjes nacionalçlirimtare E. Hoxha, M. Shehu, Hysni Kapo, Liri Gega, etj. në fshatin Shkozë dhe në Dushkarak (maj 1943) dhe, pas debatesh, ranë dakord që të bashkëpunonin në luftë kundër okupatorëve nazifashistë” (Bujar Leskaj: « Përfaqësuesit e Vlorës në Kuvendin e Shqipërisë 1912-2009″).
Thonë se në këtë qytet Isuf Luzaj mbajti një fjalim para popullit që u mblodh, kur po merrnin rrugën e mërgimit. Ishte një fjalim lamtumire, shumë emocionues. Nga Shkodra kaloi nëpër Jugosllavi në këmbë, u hodh në Itali, ku mbas pak kohe punoi në bibliotekën e Vatikanit” (Makensen Bungo: Bisedë për Prof. Dr. Isuf Luzaj, e diel, 23. 10. 2011, “Zemra Shqiptare”) .
“Më 5. 12. 1965, Anëtarët e Komitetit Qendror të Organizatës Balli Kombëtar organizuan Kongresin e tyre partiak, të 4 më radhë, për ta zgjedhur kryetarin e vet… Isuf Luzaj ka zhvilluar edhe aktivitete tjera politike dhe atdhetare, si vijon: Ka bashkëpunuar me revistat “Mbrojtja Kombëtare” si dhe atë “Besa” – organe këto që botoheshin, e para nga aktivisti i mirënjohur Sami Çaushaj dhe “Besa” – si organ i Degës së Ballit Kombëtar nga Kanadaja. Ndër faqet e këtyre dy revistave lexuesi gjen një mori poemash dhe vjersha te botuara me pseudonime ose edhe pa emër fare, por që identifikohen lehtë si prodhimtari e pendës së tij te bujshme e me afinitet të thellë filozofik dhe letrar. Gjithashtu që nga fillimi i vitit 1975 e deri në prill të vitit 1992, ka qenë në një letërkëmbim intensiv me z. Emil Kastrioti, Kryetar i Besëlidhjes Kombëtare Demokratike Shqiptare, i cili, ky i fundit bëri ç’është e mundur për t’i pajtuar dy grupet e përçara të Organizatës Balli Kombëtar nëpërmes korrespodencës intensive me disa eksponentë të Ballit Kombëtar siç ishin : Sami Çaushaj, dr. Halim Begeja, Syrja Shehu, Enver Risilia, Prof. Hysni Hoxha, Hajredin Bytyçi, Qazim Prodani, Lekë Harapi, Hodo Metaj, Selman Shenaj, Sharaf Kerma, Hysen Çelaj, Qemal Panariti, e shumë ballistë tjerë si nga Evropa, SHBA, Australia, Turqia etj. Qëllimi i Besëlidhjes Shqiptare ishte përforcimi i Ballit Kombëtar, sepse siç shprehej z. Shaban Dërguti, me banim në Kaliforni, Balli Kombëtar është e vetmja forcë politike që ka popullaritet në atdhe, dhe se Besëlidhja Shqiptare është vetëm vazhdimësi e idesë së shenjtë e Ballit Kombëtar. Dr. Isuf Luzaj, në qershor te vitit 1977, erdhi në Evropë për t’u takuar me përfaqësuesit e Besëlidhjes Kombëtare Demokratike Shqiptare, ku pati takime pune, jo vetëm me Kryetarin e Besëlidhjes por më shumë eksponent të sajë, si dhe me patriotë tjerë kosovarë. Ishte pjesëmarrës i Mbledhjes historike të 17 qershorit 1977 në Bruksel të Belgjikës, kur u bë unizimi i 4 organizatave ilegale kosovare që vepronin edhe në mërgim. Gjatë diskutimeve të stërzgjatura për emërtimin e kësaj organizate, ishte Isuf Luzaj ai qe e zgjodhi këtë mosmarrëveshje me propozimin e tij, që organizata e sapoformuar nga unazimi i 4 organizatave kosovare të quhet : “Organizata Kosovare Revolucionare Nacional – Demokratike Shqiptare” (O K R N D SH), çka u pajtuan edhe palët tjera, të cilat ishin kundër emërtimit të këtij bashkimi më emrin Besëlidhja Kombëtare Demokratike Shqiptare” Mirëpo, mjerisht, ky “unazim” nuk zgjati as një vit, pasi që UDB – ja jugosllave i kishte futur emisarët e vet në dy organizatat e bashkuara me BKDSH – ën, dhe ata e “kryen punën e vet” duke bërë puç e përçarje në radhët tona derisa u detyruam të thërrasim Kongresin e Dytë, me 14 e 15 prill 1979, për t’i pastruar radhët tona nga elementë përçarës e subversiv. Isuf Luzaj gjithmonë ka qenë në anën tonë me këshilla e sugjerime të urta, dobiprurëse e të vlefshme për çështjen kombëtare. Ky e kishte kuptuar, se ishte Besëlidhja Shqiptare ajo që ndiqte rrugën e drejtë të nacionalizmit shqiptare dhe se herdokurë kjo Besëlidhje do të jetë krahu i djathtë i Ballit Kombëtar” (Faqja elektronike “Shqipëri Etnike”, Ukë Qerreti: “Prof. Dr. Isuf Luzaj, një figurë e shquar e nacionalizmit shqiptare në mërgim).
“28 gusht 1943. Sot u ngremë shpejt nga gjumi për të shkuar në vendin e mbledhjes në pyll, para lindjes së diellit të gjithë të ftuarit, me përjashtim të Fiqiri Dinua, Cen Elezit, Ali Maliqit, Faik Shehut, Musa Markut nga Dibra. Para dite nuk u bë asnjë bisedim, mbasi afro orës 10, erdhën dy aeroplanë dhe bombarduan dhe mitraluan për 2 orë rresht katundin dhe pyllin… Afër drekës, erdhi nga Pllava Isuf Luzaj bashkë me Tajarin. Folën Abaz Kupi… duke e mbyllur me një përkujtim për të vrarët në luftë dhe për Ahmet Zogun, ky krejt i pavend dhe e pati përgjigjen e merituar nga toger Spahija dhe nga Isuf Luzaj. Mandej Muharrem Bajraktari e mbylli polemikën duke propozuar që simbas urdhrit të ditës, dibranët, matjanët, lumjanët dhe krutanët (Bazi), të lidhnin besën për luftë dhe për gjaqe.” (Sulejman Meço: “Kujtime”, ruhen në dorëshkrim nga Fari Shaskaj)
Kontributi dhe meraku i Isuf Luzajt për çështjen kombëtare nuk do t’i fikej kurrë, me gjithë tronditjet e mëdha shpirtërore që pësonte herë pas here nga përplasjet me politikanët e kohës, ai përsëri jep kontributin e tij në këtë drejtim. Në intervistën e marrë nga Fatmir Terziu “Dalan Luzaj në gjurmët e të Atit”, më 17. 01. 2011, del qartazi ky kontribut në shpalljen e pavarësisë së Kosovës, ku ndër të tjera thuhet: “Isufi nëpërmjet miqve dhe njerëzve në Departamentin e Shtetit Amerikan, ka dhënë ndihmesën e tij të heshtur për Kosovën. Në shtëpinë e Isuf Luzajt erdhi dhe profesor, Ali Aliu, nga Kosova bashkë me kryetarin e Partisë Demokratike (dega e Kosovës) për Amerikën z. Ramazan Bekteshi, si dhe me kryetarin e Partisë Demokratike (dega e Kosovës) për Gjermaninë, emri i zotërisë nuk më kujtohet, filiale këto të Partisë Demokratike të zotit Ibrahim Rugova. Profesor Ali Aliu shprehimisht tha:  »Vij i dërguar nga Kosova për të biseduar me ju. Ç`të bëjmë tani për Kosovën? Pas bisedës me ju, do nisem në Atdhe. Kam ardhur tek ju enkas për këtë bisedë. » Këta zotërinj biseduan rreth një orë me Isufin. Mendimet e Isufit në lidhje me Kosovën ishin të dala nga vetë situata politike e asaj kohe dhe epiqendra e përgjigjeve të tij, dhënë bashkatdhetarëve kosovarë…”
“Shekspiri pat thënë: “E dua mirësinë e atdheut me një respekt më të ndjeshëm, më të shenjtë e më të thellë sesa dua jetën time”. Kjo është e vërtetë, siç e përjeton dhe mendimtari i shquar, i dënuar dhe i ndaluar në atdheun e tij, Isuf Luzaj, është ajo ndjenjë dhe ai përmallim i kthyer në përkushtim, që ua dogji shpirtin për një gjysmë shekulli mërgimtarëve shqiptarë. Ky duhet të jetë edhe mbishkrimi që  duhet të vendosë në ballë të saj, misioni i ripërtëritjes sonë shpirtërore të këtij atdhedashësi me një vizion nacionalist modern.
Kur dëgjohet vetëm zëri i zemrës, atdheu është vendi i lindjes, kur mbivihet interesi politik, atdheu është shteti, por kur flet ideali, atdheu është i tërë njerëzimit. E në zhvillimin historik të kësaj ndjenje, mund të përcaktojmë që vendlindja shpreh patriotizmin e së shkuarës, kombi patriotizmin e së tashmes, njerëzimi patriotizmin e së ardhmes (Ndriçim Kulla: “Patriotizmi njerëzor dhe ideor i Isuf Luzajt”, gazeta “Panorama”, 11 mars, 2013).

Prof. Dr. Isuf Luzaj ka qenë një politikan me përmasa ndërkombëtare, ai përpos tjetrash dha idenë e një politike të re ndërkombëtare, ku përmes një shteti universal të administroheshin popujt e mbarë botës, por politikës aktuale botërore, gjoja të “reformuar” i intereson më shumë t’i shtypë dhe t’i shfrytëzojë popujt, se sa t’i administrojë ata drejt një zhvillimi universal.
Pa mendoni një herë se sa ndryshe do ishte shoqëria njerëzore sipas mendimeve të vyera të Isuf Luzajt, se do respektoheshin popujt e botës e në mbi këtë bazë do bëhej dhe zhvillimi i tyre sipas kushteve dhe aftësive njerëzore e mjedisore të secilit komb, pa i mohuar identitetin e tij. Bota e sotme po shpenzon shuma marramendëse për të shkrirë identitetet e popujve dhe po zhvillon luftëra të egra që edhe t’i asgjësojë ato në vend që të gjitha këto fonde të shkonin në dobi të zhvillimit të tyre…
“Ideja shpirtërore imja, aplikuar idealit shpirtëror, më shtyu të besoja në një seri të re politike, që imagjinoja në një autoritet mbikombëtar që të administronte popujt. Kjo ide aq e bukur i ngjan një utopie dhe, duke qenë se fjalën time nuk e pranuan ata që do të ishin arkitektët e një shteti universal, u ktheva në udhën e bamirësisë nëpërmjet UNESKO – s dhe, prej këtu, me Nënë Terezën dhe me Peres de Kuellar.” (Isuf Luzaj: “Rindërtimi i Fuqive Shpirtërore” faqe 24)

(Shkëputur nga libri “Isuf Luzaj – Njw Shtizë Diell mbi Atdhenë”)

PRESS INDEPENDENT

Catégories :Dossier, Histoire

Tagué:, , ,

Laisser un commentaire